Gatimi tradicional italian mund të jetë “fajtor” për ndotjen e ambientit. Një komunë në Napoli ka bërë përgjegjëse pikërisht piceritë me furrë druri për nivelin e lartë të ndotjes së ambientit. Komuna San Vitaliano, provincë e Napolit me 6 mijë banorë, ka nxjerrë një udhëzim që u imponon pronarëve të picerive të shuajnë furrat e drurit dhe të përdorin impiantet alternative për pjekje.

Vendim është marrë pas publikimit të një raporti mbi gjendjen mjedisore, i hartuar nga “Legambiente”, sipas të cilit gjatë vitit 2015, San Vitaliano e ka kaluar në 114 ditë nivelin e lejuar të pluhurave të dëmshme në ajër. Shifrat kanë habitur jo pak banorët dhe pronarët e picerive, pasi qytete me nivel të rënduar trafiku dhe fabrika si Milano, rezultojnë se kanë pasur më pak ditë gjatë të cilave është kaluar ky prag. Sipas raportit, Milano e ka kaluar limitin gjatë 86 ditëve të këtij viti dhe Napoli gjatë 59 ditëve. Kryetari i Komunës së San Vitalianos thotë se faji është i picerive dhe sipas tij, ndërrimi i furrave do të eliminojë ndotjen me 80 për qind. Sipas vendimit, bizneset që nuk fikin furrat e drurit, duhet të ulin qepenat. Urdhri do të jetë në fuqi deri në 31 mars 2016, ndërsa më pas do të rikthehet në fuqi sërish në vjeshtë. Pronarët e picerive kanë nisur të protestojnë. Ata thonë se po sulmohen për të fshehur shkaqet e vërteta të ndotjes dhe kjo po u kushton shtrenjtë.