
Nga amnistia për detyrimet tatimore që do të vihet në zbatim së afërmi, do të përfitojnë edhe pronarët e mjeteve që nuk kanë paguar taksat vjetore apo tarifën e zhdoganimit.
Neni 10 i projektligjit për amnistinë parashikon çregjistrimin për të gjitha “mjetet e regjistruara në Drejtorinë e Përgjithshme të Shërbimit të Transportit Rrugor, të cilat nuk kanë kryer asnjë veprim me këto mjete pas periudhës 31 Dhjetor 2011”. Çregjistrimi i mjeteve bëhet pa paguar detyrimet e prapambetura, si: taksën e regjistrimit të përvitshëm të mjeteve dhe taksën vjetore të qarkullimit rrugor, taksën vjetore të mjeteve të përdorura, taksën e mjeteve luksoze, si dhe gjobat e llogaritura për efekt të mospagimit të taksave e tarifave. “Tatimpaguesit ose personat përgjegjës kanë të drejtë që brenda datës 31 mars 2017 të paraqiten pranë Drejtorisë së Përgjithshme të Shërbimit të Transportit Rrugor për të kryer, pa pagesë, veprimet e çregjistrimit apo për të kërkuar moskryerjen e procedurës së çregjistrimit të mjetit dhe mbajtjen aktiv të tij”, thekson drafti. Ndërsa për individët që duan ti mbajnë automjetet e tyre, drafti parashikon falje të pjesshme të detyrimeve. Kjo kategori do të paguajë taksat vjetore, por jo penalitetet përkatëse.






