SHKRIMI PËR FITIMIN E ÇMIMIT TË JERUZALEMIT NË LETËRSI PËR VITIN 2015. Botuesi i gazetës shqiptaro-amerikane “Illyria”, Vehbi Bajrami ka botuar në “New York Daily News”, gazetën më popullore njojurkeze, një urim për shkrimtarin Ismail Kadare për fitimin e Çmimit të Jeruzalemit në Letërsi për vitin 2015.

Me mbi tre milionë kopje, NYDN renditet e katërta për nga tirazhi në SHBA pas The New York Times, Washington Post dhe Wall Street Journal dhe ka një bashkëpunim të vjetër tashmë me gazetën shqiptaro-amerikane “Illyria”. Çmimi i Jeruzalemit është nga më të njohurit në letërsinë ndërkombëtare dhe si fitues Ismail Kadare do të jetë në shoqërinë e emrave të njohur si Borges, Ionesco, Greene, Kundera, McEwan etj. Shkrimtari i shquar shqiptar do ta marrë çmimin e tij të radhës gjatë Panairit Ndërkombëtar të Librit në Jeruzalem, në datën 8 shkurt. Në urimin e botuar në gazetën amerikane, botuesi Bajrami citon jurinë përzgjedhëse që ka nënvizuar se Kadareja shquhet për “mënyrën ironike dhe marramendëse të të treguarit”. Ndërsa për shkrimet e tij juria u shpreh në vlerësimin e saj se ato trajtojnë “fajin kolektiv dhe natyrën e padepërtueshme të të vërtetës. Ai përpiqet të nxjerrë në pah (ndërsa fsheh shtresa legjende dhe metafore) pyetjet e papërgjigjshme dhe krimet për mëkatin e të cilave nuk mund të ketë falje. Ndërsa subjektet dhe personazhet e tij janë kryesisht lokale, domethënia dhe rëndësia e tyre janë universale”. Në përshendetjen e tij në “New York Daily News”, botuesi Bajrami uron shkrimtarin shqiptar për këtë çmim të ri që renditet mes nderimeve të tjera madhore për krijimtarinë e tij. “Asnjë shkrimtar tjetër nuk e meriton më shumë Çmimin Nobel në Letërsi”, shkruan Vehbi Bajrami, “dhe mungesa është një padrejtësi ndaj Kadaresë dhe ndaj letërsisë botërore”. “Vepra e tij si shkrimtar dhe kontributi i tij si intelektual publik kanë kontribuar në ndryshimet historike në Shqipëri, Ballkan dhe më tej në kulturën europiane dhe botërore”, shkruan botuesi shqiptaro-amerikan në “New York Daily News”, duke renditur pastaj disa nga veprat më të njohura të botuara në SHBA e në gjuhën angleze

Artikulli paraprakUJËSJELLËSI SQARON MUNGESËN E FURNIZIMIT ME UJË
Artikulli tjetërDRITAT, NATËN FIKUR DITËN NDEZUR!( Pa Koment)