Një shqiptar dhe një irakian ishin krerët e një grupi kriminal që u asgjesua të premten në Athinë dhe pajiste me dokumente të falsifikuara emigrantë që donin të udhëtonin për në vendet e BE-së

 

Sipas komunikatës së policisë, nga verifikimet e deritanishme, rezulton se fitimet e këtij grupi e kalojnë shifrën 1 milion euro. Gjatë operacionit që u realizua ditët e fundit me mbështetjen e Qendrës Europiane kundër trafikimit të emigrantëve – EMSC, u arrestuan 8 persona, 4 irakianë, një shqiptar, një sirian, një bangladeshas dhe një shtetase greke. Gjatë kontrolleve të ushtruara në banesat e të arrestuarve, u gjetën dhe u sekuestruan dokumenta të falsifikuara si pasaporta, karta identiteti, leje qëndrimi, tre kompjutera, katër vula shërbimesh shtetërore, 19.040 euro, dollarë amerikanë, dinarë irakianë dhe lira turke, 2 automjete dhe 18 telefona celularë. Sa i përket mënyrë së veprimit, grupi përgatiste dokumente udhëtimi të falsifikuara, që pastaj ua shiste trafikantëve të ndryshëm. Çmimet e shitjes me shumicë varionin nga 100 deri në 240 euro. Pastaj trafikantët pajisnin me këto dokumente dhe kundrejt çmimeve të “kripura”, emigrantë që donin të udhëtonin nga Greqia për në vende të tjera të BE-së.

Sipas policisë, krerët e këtij grupi kriminal ishin një irakian dhe një shqiptar. I pari merrej me mbylljen e marrëveshjeve dhe dorëzimin e dokumenteve te trafikantët, ndërsa shtetasi shqiptar kishte si mision sigurimin e dokumenteve të falsifikuara.

Artikulli paraprakPOLICIA SHPËTON 3 FËMIJË TË VEGJËL, NDAJ PRINDËRVE NGRITET KALLËZIM PENAL
Artikulli tjetërGJENDET PREDHA E PAPLASUR ANËS RRUGËS