Vështirësitë e shumta ekonomike kanë bërë që Sokol Vatnikaj nga lagjja Qafë Hardhi në qytetin e Shkodrës t’u drejtorhet institucioneve si të vetmen mundësi për të gjetur një strehë të qëndrueshme për të jetuar së bashku me 4 familjarët e tij.

Duke folur nga dyert e Spitalit Rajonal të Shkodrës ku shpesh i duhet të marrë mjekime, Vatnikaj kërkon mbështetje për të dalë nga jeta që bën prej shumë vitesh. Qeranë e shtëpisë nuk e paguan prej disa muajsh si pasojë e vështirësive të shumta ekonomike, ndërsa faturat e energjisë për muajt nëntor dhe dhjetor i ka ankimuar. Që pas viteve ’90, familja Vatnikaj vijon të ndryshojë vendbanimin si pasojë e vështirësive ekonomike. Thirrja e kësaj familje është që t’u sigurohet strehim dhe ushqime, pasi me ndihmën ekonomike prej 5 mijë lekësh e kanë të pamundur të mbyllin shpenzimet e muajit.