Federata e Punonjësve të Industrisë: Protesta në Spaç, e ndërtuar mbi mashtrime dhe abuzime

Federata e Sindikatave të Punonjësve të Industrisë së Shqipërisë ka reaguar pas ngjarjeve të fundit në Minierën e Spaçit, duke e cilësuar protestën e zhvilluar atje si një veprim të organizuar mbi “mashtrime dhe uzurpim të funksioneve përfaqësuese” nga persona pa mandat ligjor.

Në deklaratën e saj për mediat, Federata thekson se e ashtuquajtura protestë “nuk është një reagim i ligjshëm i punëtorëve, por një veprim i ndërtuar mbi falsifikime dhe abuzime, i drejtuar nga individë që nuk përfaqësojnë interesat e punëtorëve”.

Sipas saj, “këta persona përbëjnë një strukturë të rreme, që funksionon në interes të një individi të vetëm, jashtë çdo baze statutore apo ligjore”.

Organizata sindikale shprehet se “konfederata që duhej të mbronte të drejtat e punëtorëve është kthyer në një mekanizëm personal, ku çdo veprim apo deklaratë buron nga vullneti i një njeriu të vetëm”. Kjo situatë, sipas Federatës, ka sjellë “deformimin e vetë qëllimit të sindikalizmit dhe humbjen e besimit ndaj strukturave përfaqësuese”.

Në deklaratë përmenden gjithashtu “shkelje të rënda ligjore dhe etike”, përfshirë përdorimin e dokumenteve të pavlefshme juridikisht dhe krijimin e strukturave fiktive, që sipas Federatës janë përdorur për “përfitime personale, ekonomike dhe politike”.

Federata pretendon se qëllimi i vërtetë pas tensioneve në Spaç është “krijimi i një konflikti artificial me kompaninë ‘Tete Albania’, për të larguar investitorët e huaj dhe për t’u hapur rrugë interesave të tjera ekonomike”.
“Në këtë skemë, punëtorët janë përdorur si mjet presioni, ndërsa përfituesit kanë qenë gjithmonë të njëjtët”, thuhet në reagim.

Në përfundim, Federata nënvizon se “asnjë dokument, kontratë apo protestë e dalë nga struktura të paligjshme nuk ka vlerë ligjore dhe përbën përgjegjësi civile dhe penale për autorët”.
“Punëtorët e këtij vendi meritojnë përfaqësim të ndershëm, jo spektakle mashtruese. Mashtrimet kanë një fund, dhe ai quhet ligj e përgjegjësi publike”, përmbyllet deklarata.

Artikulli paraprakSHQIPËRIA NDRYSHON FYTYRË PËR MIQËSOREN NDAJ JORDANISË, JA FORMACIONI
Artikulli tjetërMIQËSORJA SHQIPËRI-JORDANI, 1-1 PJESA E PARË