
Mungesa e një porte funksionale ka bërë që ambientet e shkollës 9 vjeçare “4 Dëshmorët e Vorfës” në Hysaj të mos jenë të izoluara nga rruga. Nxënësit mund të dalin në çdo moment jashtë oborrit, ndërsa qarkullimi i automjeteve përbën një rrezik të shtuar për sigurinë e tyre.
Për të treguar se sa lehtë mund të dilet nga shkolla dhe të përfundosh në rrugë, mjafton të shohësh këto pamje.
Shqetësimin për sigurinë e fëmijëve e ngrenë edhe banorët e zonës. Prindërit shprehen se jetojnë çdo ditë me frikën për sigurinë e fëmijës së tij, ndërsa tregojnë se porta e shkollës ka vite që është e dëmtuar dhe se mungon edhe roja. Ai u bën apel institucioneve përgjegjëse të ndërhyjnë sa më parë, përpara se të ndodhë ndonjë ngjarje e rëndë.
E kontaktuar nga Star Plus, drejtoresha e Zyrës Vendore Arsimore në Malësi të Madhe Liza Deda është shprehur se nuk është në dijeni të kësaj situate, duke pretenduar se porta e shkollës është funksionale. Sipas saj, një problematikë e tillë nuk është ngritur më parë si shqetësim. Por deklarata e saj bie ndesh me pamjet e regjistruara nga Star Plus dhe dëshmitë e banorëve, të cilët thonë se kjo gjendje vijon prej vitesh.
Ndërkohë, situata ngre pikëpyetje mbi kontrollet dhe verifikimet e kushteve të sigurisë në institucionet arsimore, veçanërisht në nisje të vitit shkollor. Star Plus mbetet në pritje të një reagimi nga institucionet përgjegjëse, ndërsa pyetja që shtrohet është: Kush mban përgjegjësi për sigurinë e nxënësve, kur institucionet nuk janë në dijeni të gjendjes reale të shkollave?


