Fëmijët sirianë të Tiranës, ëndërrojnë kthimin në atdhe

George dhe Sharbel, përkatësisht 13 dhe 8 vjeç, janë fëmijët e familjes siriane Labbad. Prej dy vitesh ata kanë zgjedhur t’i ikin tmerrit të luftës dhe të zhvendosen në Tiranë. Mbijetesën e sigurojnë nëpërmjet një biznesi “Fast Food”, ku kryefamiljari ushtron profesionin e shefit të kuzhinës njëlloj si në Damask. Më i madhi prej dy djemve George kujton: “Kur filloi lufta, kishte njerëz të vdekur. Nuk kisha frikë”. Para kohës së luftës edhe ai ka patur një fëmijëri normale. “Babai punon me një biznesmen atje, ndërsa mami punonte si mësuese”, tregon 13-vjeçari. I mësuar mirë me Tiranën, George shkon në shkollë dhe ka një jetë sociale. “Tirana ka njerëz shumë të mirë, por nuk është shumë e bukur”, thotë ai. Edhe pse 13 vjeç ai i ka idetë e qarta për jetën. “Dua të kthehem prapë në Siri. Pëlqej bizneset me naftë”, shton George. Manar është përshtatur përkohësisht me jetën e Shqipërisë megjithëse familja Labbat dëshiron të kthehet nga ka ardhur sapo situata të qetësohet. “Kujtoj që gjendja në Siri ishte e vështirë, kishte shumë bombardime e raketa. Nga Damasku shkuam në Homs me shpresën që mund të ishte me e qetë situata aty, por jo. Ideja për të ardhur këtu ishte sepse bashkëshortit tim i bënë një ftesë për punë si shef kuzhine. Nuk kemi ardhur si refugjatë. Të paktën shteti të na ndihmojë me procedurën e lejes së qëndrimi.”, shprehet Manar About. Pasditen e së premtes komuniteti sirian në Shqipëri do të organizojë natën e lutjes, me qëllim solidarizimin me fëmijët sirianë, të cilët po vuajnë pasojat e një lufte katastrofike. Sharbel vjen nga një prej vendeve më të zhvilluar ekonomikisht dhe kulturalsht të Lindjes së Mesme, por edhe nga vendi ku të gjithë luftojnë kundër të gjithëve e që lufta e ka shndërruar në gërmadhë.

Artikulli paraprakRAMA VIZITE NE BERLIN ME 28 NENTOR.PRITET QE MERKEL T’I JAPE LAJMIN E ÇELJES SE NEGOCIATAVE
Artikulli tjetërKUOTAT E LIRA,MAS SHTYN AFATIN E REGJISTRIMEVE DERI ME 1 NENTOR