Vllaznia në futboll për femra e ka mbyllur aventurën e saj në eleminatorët e Ligës së Kampioneve. Vajzat kuqeblu u eleminuan në turin e katërt teksa humbën edhe ndeshjen e kthimit ndaj Juventus, e luajtur në Itali.

Ekipi italian fitoi 1-0 ndaj Vllaznisë me një gol të shënuar në pjesën e parë ndërsa kishin fituar një javë më parë 2-0 në Shkodër duke siguruar kështu kualifikimin përballë vajzave kuqeblu. Juventus në minutën e 34 sulmon nga krahët dhe Staskova merr një pasim të saktë brenda zonës duke goditur dhe dërguar në rrjetë topin dhe duke i dhënë avantazhin skuadrës vendase.

Vllaznia në minutat e mbetura të pjesës së parë mundohet të reagojë por është e vështirë. Në pjesën e dytë Juventus administron mirë lojën dhe nuk lejon që Vllaznia të shënojë golin e barazimit duke fituar minimalisht 1-0, rezultat i mjaftueshëm për ta çuar skuadrën italiane në mes 16 ekipeve më të mira të Europës.

Vllaznia për herë të dytë në historinë e saj arriti që të kualifikohet mes 32 ekipeve më të mira të Europës duke bërë paraqitje dinjitoze edhe këtë sezon ashtu si dy vite më parë. Vajzat kuqeblu në turin e katërt u përballën me një short të vështirë duke qenë pak edhe pafat sepse kundërshtari i radhës ishte skuadra e famshme italiane e Juventus.

Një ekip që është krijuar katër vitet e fundit por që ka arritur të fitojë titullin kampion në itali dhe të bëjë një paraqitje të nivelit të lartë edhe në Europë. Vllaznia provoi që të bëjë një lojë të mirë dhe u përball me dinjitet ndaj këtij emri tëmadh të futbollit por duke mos arritur që të kualifikohet.

Artikulli paraprakNIS “EKRANI I ARTIT”, “SHKODRA PA KINEMA, E PAPRANUESHME”
Artikulli tjetërNIS KAMPIONATI, PRAGNDESHJA LAÇI-VLLAZNIA