Vllaznia në futboll për femra ka humbur ndaj ekipit të njohur të Juventus ndeshjen e parë të turit të katërt kualifikues të Ligës së Kampioneve. Vajzat shkodrane pësuan dy gola në pjesën e parë ndaj skuadrës italiane duke humbur kështu 0-2 këtë sfidë të rëndësishme. Juventus kalon shumë shpejt në avantazh që në minutën e 11-të pas një goli të shënuar nga Girelli.

Vllaznia mundohet të reagojë por përpjekjet e Franjës, Krasniqit, Doçit dhe Lufos nuk arrijnë të depërtojnë mbrojtjen mike. Pa u mbyllur pjesa e parë Juventus realizon edhe golin e dytë me anë të Hurtig. Shkodranet ndëshkohen sërish nga loja në ajër me një gol me kokë. Vllaznia bën disa ndryshime në pjesën e dytë dhe loja e ekipit vendas përmirësohet.

Madje vajzat shkodrane kanë një rast tejet të pastër por nuk arrijnë të shënojnë. Juventus ruan avantazhin e pjesës së parë dhe fiton 2-0 takimin e parë në Shkodër. Trajneri i Vllaznisë Nikolin Leka u shpreh se mungesa e tri futbollisteve ndikoi në këtë sfidë.

Nga ana e tij trajneri i Juventus Montemurro thotë se asgjë ende nuk ka përfunduar dhe se ekipi i tij duhet që të bëjë kujdes në takimin e kthimit.

Ndeshja e kthimit Juventus-Vllaznia do të luhet më 8 shtator në Torinë të Italisë teksa tashmë pas fitores në transfertë skuadra italiane duket se e ka më të lehtë kualifikimin mes 16 ekipeve më të mira të Europës.