
Vllaznia në futboll për femra ka bërë mrekullinë duke u kualifikuar për në turin e dytë të “Uefa Ëomen Champions League”. Vajzat shkodrane eleminuan përmes penalltive ekipin e Ferencvaroshit të Hungarisë duke kaluar kështu në Play Off. 90 minutat e kësaj ndeshje përfunduan pa gola 0-0. Po ashtu edhe në kohën shtesë të dy ekipet nuk arritën të shënojnë duke e lënë fatin e kësaj ndeshjeje tek 11-metërshat.
Vajzat kuqeblu u treguan më të sakta duke fituar 3-1 tek penalltitë dhe duke siguruar kështu kualifikimin për në turin e dytë të “Uefa Ëomen Champions League”. Në këtë mënyrë Vllaznia këtë vit ka prerë biletën duke qenë mes 32 skuadrave më të mira të Europës. Për skuadrën hungareze vago gjuan e para por pret portierja e Vllaznisë. Gjini për ekipin kuqeblu tregohet e saktë duke i dhënë avantazhin ekipit shkodran. Mosdogji gjuan saktë për hungarezet dhe barazon.
Franja me eksperiencën e saj nuk gabon dhe realizon saktë nga 11 metërshi duke kaluar sërish Vllazninë në avantazh. Është radha e Pusztai për Ferencvarosh që të gabojë sërish. Tek Vllaznia është qetësia e duhur dhe Berisha realizon edhe penalltinë e tretë. Szhabo për hungarezet gabon edhe ajo pas pritjes që bën portierja kuqeblu dhe Vllaznia fiton 3-1 duke i lënë vendin festës në fushën e lojës.
Pas këtij kualifikimi vajzat shkodrane do të përfitojnë një premio prej 30 mijë euro të premtua nga Presidenti Lazër Matija. Presidenti i Federatës Shqiptare të Futbollit Armand Duka uroi skuadrën shkodrane pas këtij suksesi të arritur përmes një statusit në facebook duke e cilësuar si një arritje të jashtëzakonshme kualifikimin ndaj kampiones së Hungarisë dhe se investimi i FSHF në futbollin e femrave do të vazhdojë.
Vllaznia tashmë të dielën do të mësoje emrin e kundërshtarit të radhës teksa shorti do të hidhet në orën 13:00. Ndeshja e parë do të luhet me 31 gusht ose 1 shtator dhe takimi i kthimit pas një jave me 8 ose 9 shtator.






