Vllaznia në futboll për femra do të ketë ndeshjen historike ndaj një klubi të madh si Juventus, takim i vlefshëm për turin e katërt kualifikues të Champions League. Trajneri i Vllaznisë femra Nikolin Lekaj thotë se pavarësisht emrit që ka Juventus, Vllaznia ndodhet mes 32 ekipeve më të mira të Europës dhe luan si e barabartë ndaj vajzave italiane ndërsa objektiv i padiskutueshëm është fitorja.

Kapitenia e Vllaznisë Esmeralda Franja në prag të përballjes me Juventus shprehet se vajzat shkodrane janë të motivuara maksimalisht për të arritur një rezultat pozitiv ndaj ekipit të njohur italian.

Vllaznia luan me dy mungesa ndaj Juventus por pavarësisht kësaj do të kërkojë maksimumin nga kjo përballje historike. Takimi Vllaznia-Juventus luhet në stadiumin “Loro Boriçi” më 1 shtator në ora 19:00 ku pritet që prania e tifozëve të jetë e madhe në mbështetje të Vllaznisë. Ndeshja e kthimit në Itali do të jetë më 8 shtator ndërsa ekipi që kualifikohet mes 16 skuadrave më të mira do të përfitojë 400 mijë euro.