
Rreth 1000 fëmijë nga zonat rurale të Lezhës u surprizuan këto ditë nga ardhja e “Babagjyshit të Vitit të Ri”, i cili u shpërndau atyre pako festive. Elfët e organizatës “Round Table Albania” udhëtuan në disa shkolla të njësive administrative për të takuar nga afër fëmijët dhe për të parë buzëqeshjet e tyre teksa zbulonin surprizat e përgatitura nga bashkëmoshatarët e tyre gjermanë.Realizimin e kësaj nisme u bë e mundur fale koordinimi te Bashkisë Lezhë dhe Drejtorinë Rajonale të Arsimit, të cilat ofruan çdo lehtësi që pakot festive të mbërrinin tek fëmijët. Presidenti i “Christmas Package Convoy”, Stefan Harrichhausen, u shpreh i lumtur që ndodhej në Lezhë dhe që pa nga afër gëzimin e fëmijëve teksa merrnin dhuratat festive.
Ndërkohë, presidenti i “Round Table Albania”, Dashamir Sula, tha se ky është vetëm bashkëpunimi i parë dhe se janë hedhur tashmë bazat për një bashkëpunim afatgjatë.
Pakot festive u shpërndanë për fëmijë të moshave 3 deri në 11 vjeç, në shkollat e njësive administrative të Bashkisë Lezhë. Për angazhimin dhe mbështetjen e dhënë për fëmijët lezhjanë, kryetari i Bashkisë Lezhë u akordoi certifikata mirënjohjeje dy grupimeve të përfshira në këtë iniciativë.






