
Sot, sheshi para Bashkisë Shkodër u kthye në një hapësirë të vërtetë festive, ku qindra fëmijë u mblodhën për të festuar me muzikë, lojëra dhe aktivitete të ndryshme argëtuese festën e 1 Qershorit.
Një nga surprizat më të pëlqyera për fëmijët ishte shpërndarja e akullores falas, që shtoi edhe më shumë entuziazmin e tyre në këtë ditë feste. Fëmijët shprehën gëzimin e tyre dhe dhanë urimet për 1 Qershorin, duke theksuar dëshirën që aktivitete të tilla të vijojnë edhe gjatë gjithë vitit.
Kryetari i Bashkisë Shkodër, Benet Beci, u shpreh se fëmijët i dhanë qytetit ngjyrat më të bukura me energjinë dhe ëndrrat e tyre, duke e kthyer sheshin para Bashkisë në zemrën e festës së 1 Qershorit.
Në kuadër të festimeve, gjatë gjithë ditës janë parashikuar aktivitete të ndryshme, ku fëmijët kanë mundësi të argëtohen përmes lojërave, këngëve dhe kërcimeve të organizuara nga Bashkia Shkodër dhe institucionet përkatëse.
Dita e 1 Qershorit në Shkodër u shndërrua kështu në një festë të vërtetë për fëmijët, duke sjellë buzëqeshje dhe momente të paharrueshme për ta.






