
Lezha ka mirëpritur Festivalin e parë të Shkencës, ku nxënës të gjimnazeve dhe shkollave të zonës prezantuan projekte inovative, të ndërtuara mbi njohuritë në shkencat ekzakte dhe teknologji. Aktiviteti, i organizuar në nivel të Zyrës Vendore të Arsimit, vuri në fokus angazhimin e të rinjve për të ofruar zgjidhje konkrete për sfida reale të komunitetit.
Përmes modeleve praktike dhe ideve kreative, nxënësit demonstruan se si fizika, matematika dhe teknologjia mund të kthehen në instrumente për përmirësimin e jetës së përditshme dhe zhvillimin lokal.
Drejtoresha e ZVA-së Lezhë, Antoneta Suta, theksoi se organizimi i këtij festivali për herë të parë synon të motivojë nxënësit drejt kërkimit shkencor dhe përdorimit të teknologjisë, duke i orientuar ata drejt ideve që mund të zbatohen në praktikë.
Në përfundim, projektet u vlerësuan nga një juri profesionale, ndërsa nxënësit fitues do të përfaqësojnë Lezhën në fazën kombëtare të konkursit. Synimi mbetet që këto iniciativa të shndërrohen në modele konkrete zhvillimi dhe të marrin mbështetje më të gjerë institucionale.






