
Lezha mirëpriti kete fundjave edicionin e dytë të Festivalit Kombëtar të Letërsisë. Mbi 25 shkrimtarë të njohur, studiues, kritikë letrarë dhe lexues të rinj nga të gjitha trevat shqiptare dhe diaspora u bënë bashkë në Shëngjin, në një dialog të hapur me njëri-tjetrin. Gjatë këtij aktiviteti treditor u shkëmbyen ide dhe u trajtuan tema të rëndësishme mbi zhvillimin e letërsisë shqipe, si në dimensionin e saj klasik, ashtu edhe në atë bashkëkohor.
Festivali Letrar Shqiptar synon të shndërrohet në një institucion të qëndrueshëm kulturor, që promovon krijimtarinë letrare, fuqizon dialogun ndërbrezor dhe kontribuon në përhapjen e gjuhës dhe kulturës shqiptare në nivel kombëtar dhe ndërkombëtar.
Temat kryesore që u trajtuan gjatë festivalit ishin tendencat e reja në letërsinë shqiptare, ndikimi i modernizimit dhe globalizimit, raporti mes historisë dhe fiksionit, zhvillimi i zhanreve të reja, eksperimentimi letrar, roli i zërave të rinj, letërsia digjitale dhe ndikimi i përkthimit në komunikimin ndërkulturor.






