
Ky 5 shtator shënon 28 vite nga vdekja e humanistes shqiptare, fituese e Çmimit Nobel për Paqe, Shën Nënë Tereza.
Ajo u bë e përjetshme në shenjtërinë e saj përmes një ceremonie madhështore në Sheshin “Shën Pjetri” në Vatikan. Dy janë mrekullitë të njohura botërisht që i hapën rrugën shenjtërimit të murgeshës shqiptare.
E para ishte dëshmia e Monika Besra, nëna e 5 fëmijëve. Ajo është shprehur se lutja përpara ikonës në Nënë Terezës e shëroi nga sëmundja e tumorit në stomak.
Mrekullia e dytë u njoh në vitin 2015 nga Papa Françesku. Një 25-vjeçar nga Brazili konfirmoi se falë murgeshës shqiptare ishte kuruar nga tumori në tru.
Murgesha ‘u lumturua’ po ashtu në tetor të vitit 2003, nga Papa Gjon Pali II. Ai miratoi mrekullinë e parë pas vdekjes së saj.
Asambleja e Përgjithshme e Kombeve të Bashkuara përmes një rezolute të veçantë caktoi 5 Shtatorin, si Ditën Ndërkombëtare të Bamirësisë.
Shën Tereza, emri i plotë i së cilës është Anjezë Gonxhe Bojaxhiu, emër të cilin e ndërroi në Nënë Tereza, lindi më 1910 nga prindër shqiptarë. Në moshën 18-vjeçare ajo u largua nga Shkupi, Maqedonia e Veriut, për t’ju bashkuar Motrave Loreto në Irlandë, dhe prej asaj dite nuk do i shihte më prindërit. Ndonëse regjimi komunist u tregua i ashpër me të duke mos e lejuar të takonte të afërmit e saj, sërish Nënë Tereza nuk e mohoi kurrë prejardhjen e saj, duke u kthyer në krenari për çdo shqiptar.
Shenjtorja ndërroi jetë në 5 shtator 1997, në Kalkutë të Indisë.






