
Prag festat kombëtare të nëntorit bënë bashkë fëmijët e kopshtit “Ismet Sali Bruçaj” në qytetin e Shkodrës dhe fëmijët e kopshtit “Xixëllonja” nga Prishtina të cilët performuan këngë e vjersha patriotike duke dhënë mesazhet e bashkimit kombëtar në një aktivitet në teatrin “Migjeni”.
Drejtorja e kopshtit “Ismet Sali Bruçaj” Ariana Baci tha se fëmijët përmes këtyre aktiviteteve rriten me ndjenën kombëtare të Shqipërisë e Kosovës.
Një emocion përcjellën edhe fëmijët e kopshtit “Xixëllonja” nga Prishtina me pjesët artistike kushtuar festave të nëntorit ndërsa drejtorja Mimoza Veseli tha se këto aktivitete janë një trashëgimi e punës së të parëve.
Fëmijët e Shqipërisë dhe Kosovës do të duhet që të kenë sa më shumë aktivitete të përbashkëta për të qenë sa më pranë njëri-tjetrit.
Kjo është hera e parë që fëmijët e kopshtit “Xixëllonjat” nga Kosova vijnë në një aktivitet të tillë në Shqipëri ndërsa në të ardhmen pritet që këto shkëmbime që në thelb kanë atdhedashurinë për kombin shqiptar të zgjerohen.