
FIFA ka rrëzuar kërkesën e Federatës serbe për të pezulluar tre futbollistët e kombëtares zvicerane, dy prej tyre me origjinë shqiptare.
Qeveria e futbollit botëror ka marrë vendimin zyrtar për Granit Xhakën, Xherdan Shaqirin dhe mbrojtësin Stephan Lichtsteiner, të cilët festuan me simbolin e shqiponjës golat e shënuar në fitoren kundër Serbisë.
Vendimi i FIFA-s ka qenë në favor të zviceranëve, duke mos pezulluar tre futbollistët, por ndaj tyre do ketë vetëm dënime me gjobë, nga 10 mijë franga për dy shqiptarët, Xhaka dhe Shaqiri, ndërsa Lichtsteiner do paguajë 5 mijë franga zvicerane.
Festimit të Xhakës dhe Shqirit me simbolin e “shqiponjës” iu bashkua edhe mbrojtësi i Juventus, Stephan Lichtsteiner. Pala serbe u ankua në FIFA se shqiptarët provokuan me simbolin e “shqiponjës” kur shënuan golat e fitores kundër kombëtares së tyre.
Kësisoj, Shaqiri, Xhaka dhe Lichtsteiner do jenë në fushë kundër Costa Ricës, në ndeshjen e tretë dhe të fundit në fazën e grupeve, nga ku Zvicra synon të sigurojë kualifikimin për në 1/8 e Kupës së Botës.


