Gjermania ka përgatitur gjithçka për të bërë një proces të shpejtë ratifikimi nëse Suedia dhe Finlanda aplikojnë për t’u anëtarësuar në NATO. Kështu deklaroi Ministrja e Jashtme, Annalena Baerbock teksa mbërriti për bisedime me homologët e NATO-s në Berlin ditën e diel.

Baerbock tha se ishte e rëndësishme të mos kishte një “zonë gri” në mes, por se nëse këto dy vende vendosin të bashkohen me aleancën ushtarake të udhëhequr nga SHBA, “ata mund të bashkohen shumë shpejt”. Kryediplomatja gjermane shtoi se nëse parlamentet dhe shoqëritë e Suedisë dhe Finlandës vendosin t’i bashkohen NATO-s, integrimi i tyre në aleancë do të “na bënte edhe më të fortë, në mbrojtje, por edhe me vlerat tona si partnerë demokratikë”. “NATO ka qenë gjithmonë një aleancë për mbrojtjen. Ajo do të mbetet gjithmonë një aleancë për mbrojtjen.”, u tha Baerbock gazetarëve.

“Kjo ka ndryshuar veçanërisht për miqtë tanë në Evropën Nordike, Suedi dhe Finlandë. Njerëzit nuk donin të anëtarësoheshin në NATO, por tani po shtyhen drejt kësaj aleance”, shtoi ajo. Qeveria finlandeze ka kërkuar që të hyjë në NATO. Rusia ka paralajmëruar masa hakmarrëse, ku presidenti rus Vladimir Putin i tha homologut të tij finlandez se përfundimi i neutralitetit ushtarak të Finlandës do të ishte një “gabim”.

Artikulli paraprakNË CILËN PERIUDHË EVROPA ISHTE E BANUAR NGA 25 000… BANORË?
Artikulli tjetër“JAM ADMIRUESE E SKËNDERBEUT”, AMBASADORJA E SHBA-VE MESAZH SHQIPTARËVE: TË MËSOJMË NGA GABIMET E SË SHKUARËS, TË ECIM DREJT TË ARDHMES