Kreu i Komunitetit Mysliman Skënder Bruçaj ka uruar besimtarët dhe të gjithë shqiptarët anembanë botës për festën e Fitër Bajramit, e cila është simboli i paqes, qetësisë shpirtërore dhe harmonisë.

Urimi i Bruçajt: Bismil-lahi Rrahmani Rrahim! Me emrin e Allahut, Mëshiruesit, Mëshirëbërësit! Të nderuar besimtarë myslimanë shqiptarë ku do që ndodheni, në emër të Komunitetit Mysliman të Shqipërisë dhe në emrin tim personal, ju përshëndes me paqen dhe sigurinë që vjen prej Krijuesit tonë Mëshirues dhe Mëshirëbërës dhe ju uroj gëzuar Fitër Bajramin, ditën e shpërblimit, e harmonisë shpirtërore, solidaritetit, e vëllazërisë dhe të afrimit me njëri-tjetrin. Ne po e përcjellim me përmallim Muajin e Bekuar të Ramazanit, me shpresën e madhe, që Zoti të na ketë falur mëkatet tona dhe të ketë pranuar lutjet, adhurimet dhe sakrificën tonë. Ramazani na mësoi se mirësitë dhe begatitë që na ka dhënë i plotfuqishmi, marrin kuptim, vetëm atëherë kur ndahen me të tjerët me synim fitimin e kënaqësisë së Zotit. Ky muaj i madhërueshëm na mësoi se sofra e iftarit është sofra e harmonisë dhe e vëllazërisë, mes besimtarëve, mes vëllezërve dhe miqve, mes të pasurve dhe të varfërve. Të gjithë jemi të barabartë para Krijuesit, dallimi është vetëm në devotshmëri, në përkushtim, në bujari dhe te sinqeriteti në adhurim, lutje dhe vepër të mirë që bëjmë. Lutjet, adhurimet, sakrifica, dhe ripërtëritja shpirtërore që përjetuam gjatë muajit të bekuar të Ramazanit na forcon dhe motivon ta shohim festen e Fitër Bajramit si ditën e shpresave të reja, si ditën e të kujtuarit dhe solidaritetit me njëri-tjetrin, si ditën e ripërtëritjes së vëllazërisë, miqësisë dhe dashurisë për njeriun dhe njerëzoren. Më lejoni së fundmi në këto çaste të gëzuara të festës së Fitër Bajramit, këtij momenti të gëzimit dhe të lehtësimit shpirtëror, t’ju përcjell mesazhet e mia më të sinqerta për një jetë sa më të lumtur, për shëndet dhe mirësi, për sukses në çdo moment të jetës suaj. Zoti e begatoftë çdo ditë tuajën. Zoti e begatoftë Shqipërinë dhe të gjithë Shqiptarët. Amin 4 korrik 2016

Artikulli paraprakKRYMINISTRI RAMA, SOT 52 VJEÇ
Artikulli tjetërAKSIDENT NË SHKODËR, PËRPLASEN DY MJETE