Mëngjesin e ditës së sotme përfundoi procesi i numërimit të votave për kandidatët për deputet të Qarkut Shkodër, ndër të cilët fituan vend në Parlament Edona Bilali, Paulin Sterkaj dhe Benet Beci.

Duke qenë kandidati i dytë më i votuar i Partisë Socialiste në Shkodër, Benet Beci ka përcjellë në faqen e tij në Facebook një mesazh falenderues për të gjithë mbështetësit e tij.

POSTIMI
Sot herët në mëngjes ka përfunduar proçesi i numërimit edhe për kandidatët në Qarkun e Shkodrës.
Dua të falenderoj të gjithë anëtarët e komisioneve të të gjitha niveleve, numëruesit dhe vëzhguesit e Partisë Socialiste dhe subjekteve të tjera , që pas një pune të lodhshme disa ditore, në një proçes të qetë e qytetar arritën të përfundonin nxjerrjen e rezultateve.

Kemi fituar miqtë e mi! Thuajse 50 ditët e mia në politikë u përkthyen në kaq shumë vota e unë sinqerisht ju jam mirënjohës e ju falenderoj nga thellësia e zemrës për mbështetjen që nga lagjet e qytetit deri në Pukë e Fushë Arrëz, nga Velipoja në Malësi, nga Vau i Dejës në Iballë, nga Rrethinat e Ana e Malit në Temal e Dukagjin. Shumë, shumë faleminderit!

Mediat po e quajnë të veçantë rezultatin tonë të përbashkët, por në fakt për mua nuk është u tillë. Nuk mundet me qenë surprizë bindja e shkodranëve dhe e gjithë qytetarëve të qarkut tonë se duhet me iu kthy fort punës për ta zhvilluar këtë zonë të bekuar prej Zotit, për ta hapur atë drejt mundësive të reja në ekonomi, turizëm e kulturë.

Besimi që më jepni, është bindja se rruga jonë është e duhura e përgjegjësia që marr është nxitja për tu kthyer sa më parë në punë.Përulësisht mirënjohës për secilin prej jush që më besuat!

Për çdo qytetar që nuk beson ende në vizionin tonë kam një ftesë të sinqertë, na ndiqni në çdo punë që do të bëjmë, na kritikoni me argument sa herë të mendoni se diçka s’po e bëjmë mirë, bëhuni pjesë e zhvillimit sepse ky është katër vjeçari pë Shkodrën, e ajo ka nevojë për kontributin e secilin prej nesh!

Mandati i qartë që Partia Socialiste mori për të qeverisur e vetme vendin në katër vitet e ardhshme, është një garanci se ne të gjithë bashkë, duhet të bëjmë maksimumin për ta zhvilluar Shkodrën, për të çuar përpara projektin tonë të qartë e të vendosur, me qëllimin e vetëm përmirësimin e jetës së çdo qytetari.

Është koha për punë të mira! Le ta provojmë këtë të gjithë bashkë!