Dy ekipet e akademisë Vllaznia kanë bërë një paraqitje të mirë teksa kanë marrë fitore përballë ekipeve të Portos në ndeshjet që u luajtën në Lezhë. 17-vjeçarët fillimisht kanë arritur që të marrinn një fitore 2-0 ndaj lezhjanëve. Kur pjesa e parë po shkonte drejt barazimit Palushani në minutën e 38 merr një top nga goditja e këndit dhe me qetësi godet me kokë duke realizuar golin e parë.

Pjesa e parë mbyllet me avantazhin e shkodranëve. Edhe në pjesën e dytë është Vllaznia që e dominon lojën duke patur edhe rastet më të pastra për gol. Në minutën e 62-të në një aksion sulmues të Vllaznisë një top shkon drejt Smajlit, mbrojtja vendase gabon në largimin e topit, Smajli i vetëm me portierin aarin ta dërgojë topin në rrjetë duke realizuar golin e dytë dhe të fitores. Me këtë fitore skuadra e drejtuar nga Nefail Zhejani është në vendin e tretë me 23 pikë 4 më pak se Shkëndija dhe Tirana që kryesojnë me 27 pikë. Edhe 19-vjeçarët kanë arritur që të fitojnë me të njëjtin rezultat 2-0 përballë Portos në transfertë. Shkodranët kanë zhvilluar një 90 minutësh më të mirë duke arritur të sigurojnë tre pikë të rëndësishme. Dy golat e fitores janë shënuar në pjesën e parë duke i mbyllur kështu shpejt llogaritë e këtij takimi. Mbrojtësit vendas në minutën e 10-të bëjnë një ndërhyrje të gabuar në zonë dhe Vllaznia fiton njën penallti që kthehet në gol nga Fangaj. Pa u mbyllur pjesa e parë ka kohë edhe për një gol tjetër. Vllaznia sulmon nga krahët, një top i larguar nga portieri i Portos përfundon në këmbët e Zogaj i cili në minutën e 43-të me portën bosh nuk e ka të vështirë të realizojë golin e dytë dhe të fitores. Ekipi i drejtuar nga Edmond Doçi vazhdon të qëndrojë në ndjekje të Partizanit që kryeson me 26 pikë ndërsa Vllaznia renditet e dyta me një pikë më pak.