Fitore historike e Kukësit në Europë. E para jashtë fushe, më e thella e realizuar dhe ajo që është më e rëndësishme, kualifikim për në raundin tjetër. Katër gola të shënuar përballë Mladost, bëjnë që verilindorët të kalojnë edhe turin e dytë në Europa League, ku në turin e tretë do të ndeshen me Legia Varshavë. Kanë besuar shumë nënkampionët e Shqipërisë dhe për 32 minuta ata kanë mbyllur çështjen e kualifikimit, duke çuar në delir tifozët e pranishëm, por edhe tifozët që po e ndiqnin në ekran.

Festë në Podgoricë, por edhe në Kukës dhe kudo ku ka kuksianë, mëse e ligjshme, por në turin e tretë është një kundërshtar i vështirë. Gëzimi i kuksianëve për kalimin e turit të dytë eliminator në Europa League është i natyrshëm, por kur mendon që në turin e tretë do të përballet me një kundërshtar si Legia e Varshavës, entuziazmi duhet të ulet disi. Skuadra polake jo vetëm që ka eksperienca në kupat e Europës, duke shkuar deri në gjysmëfinale të Kupës së Kampioneve dhe Kupës UEFA, por ka edhe një tifozëri tepër të zjarrtë, ndër më problematiket në Europën Lindore, madje shumë prej ultrasve janë nazistë. Ndeshja e parë do të luhet në Tiranë, më 30 korrik, ku edhe tifozët kuksianë tashmë kanë premtuar mbështetje maksimale. Ëndrra e Kukësit vazhdon… Legia është futur direkt në turin e dytë eliminator të Europa League si nënkampion i Polonisë, pasi kishte koeficient të lartë. Në turin e dytë eliminoi Botosanin e Rumanisë. Në Varshavë fitoi 1-0, ndërsa në kthim dominoi gjithë ndeshjen, duke fituar pastër dhe thellë, 3-0. Katër gola, asnjë i pësuar, shifra që tregojnë se kundërshtari i Kukësit është shumë i fortë. Synimi i skuadrës polake është futja në fazën e grupeve, ku ka qenë edhe 2 herë të tjera. Legia e Varshavës – Është formuar si klub në vitin 1916. Luan në një stadium prej 31 mijë vendesh. Në sezonin e fundit zuri vendin e dytë në kampionatin polak. Ka fituar 10 herë titullin në kampionatin polak, ndërsa 12 herë të tjera është radhitur i dyti. Është fitues i 17 kupave në Poloni, më shumë se çdo skuadër tjetër, plus 6 herë finaliste. Katër superkupa janë fituar nga Legia, duke diskutuar 10 të tilla. Europë – Legia ka shumë përvojë. Arritjen më të madhe e ka në vitin 1970, kur shkoi deri në gjysmëfinale të Champions League, ku u eliminua nga Fejnordi. Ndërsa edhe dy herë të tjera ka qenë çerekfinaliste, në vitin 1971 dhe 1996. Në Kupën UEFA ka shkuar deri në gjysmëfinale në vitin 1991, ku është eliminuar nga Manchester United. Ndërsa dy herë të tjera deri në çerekfinale, 1965 dhe 1982. Në vitet 2000 dhe deri tani merr pjesë rregullisht në kupat e Europës. Ka marrë pjesë 2 herë në fazën në grupe të Europa League (2012 dhe 2014), duke e kaluar grupin. Më pas është eliminuar, përkatësisht nga Sporting Lisbona dhe Ajax. Synimi është sërish faza në grupe.

Artikulli paraprakARRESTOHEN 4 PERSONA, VIDHNIN KABINAT NË VELIPOJË
Artikulli tjetërRRJETI I GRAVE “MILLENIUM” TAKIM ME KËSHILLTARËT E RINJ