Fitorja e Vllaznisë ndaj Korabit në shifrat 2-0 ka hije të mëdha dyshimi.

Është klubi i Korabit që dyshon se futbollistët e tij kanë toleruar me dashje në ndeshjen kundër Vllaznisë, ndaj do të kërkojë në FSHF që të hetohen nga Komisioni i Etikës. Ky ka qenë përfundimi i mbledhjes në klubin dibran ku është marrë një masë e rëndë disiplinore ndaj tre titullarëve që deri tani ishin thuajse të paprekshëm në radhët e skuadrës. Portieri Mirosllav Vujadinoviç, ish-futbollist i Vllaznisë si dhe mbrojtësit Emiliano Çela dhe Arjan Sheta, janë pezulluar pa afat nga klubi i Korabit. Në këtë mënyrë drejtuesit e ekipit të Peshkopisë kanë konfirmuar se kanë dyshime që këta tre lojtarë kanë toleruar në takimin kundër Vllaznisë, duke mundësuar fitoren e shkodranëve në një ndeshje që mund të rezultojë vendimtare për mbijetesën në Superiore. Ndaj do të kërkohet zyrtarisht nga Komisioni i Etikës në FSHF që të nisë hetimin për ngjarjet e asaj sfide duke iu referuar pikërisht veprimeve të futbollistëve në fushën e lojës të cilët janë nën akuzë nga drejtuesit e tyre. Nuk ka kaluar pa masa ndëshkimore as mesfushori Alfred Zefi, i cili është dënuar me gjobë nga klubi por për momentin nuk është i pezulluar. Një vendimarrje e tillë vë në dyshim fitoren e Vllaznisë përmes një ndeshje të pastër ndaj Korabit ndërsa komplikon edhe më shumë situatën tek këta të fundit pas pezullimit të 3 titullarëve Vujadinoviç, Çela dhe Sheta të cilët kanë luajtur 20 ndeshje nga 22 që janë zhvilluar deri tani.