Fleckenstein, sugjerim Bashës: PD mos ta bojkotojë Parlamentin

“Do t’i sugjeroj Bashës të vazhdojë luftën e tij, por nuk duhet të bojkotojë Parlamentin”. Kështu deklaroi eurodeputeti Knut Flecktenstein për Top Channel, pak përpara se të shkonte në selinë e Partisë Demokratike për të takuar Lulzim Bashën. Ai tha se takimin do ta bënte, sepse ka disa pengesa për Reformën në Drejtësi. “Zoti Basha, – tha eurodeputeti, – duhet të lejojë çdo deputet të jetë në Parlament, të bëjë punën e tij, pasi java e ardhshme është shumë e rëndësishme”. Knut Fleckenstein: Ne do të gjykojmë në vijimësi. E takoj në mënyrë të veçantë zotin Basha, sepse janë krijuar disa pengesa në këtë drejtim mesa duket. Ne mendojmë se zbatimi praktik i Reformës në Drejtësi është një nga gjërat më të rëndësishme, e kur shohim pengesa të tilla, duhet të shohim për të gjetur zgjidhje konkrete. Kjo duhet të ndodhë deri në fund të javës së ardhshme, kohë kur do të instalohen komisionet parlamentare për “vettingun” dhe çdo deputet duhet të shkojë të jetë aktiv në punimet e Parlamentit dhe të bëjë punën e tij. Ky është një apel i drejtuar atij. Unë mendoj që të protestosh është normale, të ndryshosh qeverinë po ashtu. Të mos shkosh të punosh nuk është aspak normale. I them të vijojë protestën e tij, nëse dëshiron, por jo të bojkotojë Parlamentin. Po, nëse ju vijoni të zbatoni praktikisht procesin e nisur të “vettingut”, të thelloni Reformën në Drejtësi. Nëse zgjedhjet e qershorit mbahen të lira dhe të ndershme, pa probleme të mëdha, negociatat mund të hapen. Pra mbetet të punoni në këtë drejtim. Një shtet, i cili nuk arrin të realizojë zgjedhje të lira dhe të ndershme, nuk mund të përfshihet në negociata për anëtarësim në BE. Gjithsesi, unë besoj se komisionet e monitorimit të reformës, që ne do të sjellim këtu këto ditë, do të na paraqesin një pamje më të qartë edhe mbi përgatitjet për zgjedhjet e ardhshme parlamentare.

Artikulli paraprakATENTAT NË DURRËS, PLUMBA NDAJ NJË PERSONI
Artikulli tjetërBASHA:NUK DO LEJOJME ZGJEDHJE PA QEVERI TEKNIKE