
Ulja e temperaturave ka rritur numrin e fëmijëve të prekur nga virozat dhe gripi sezonal në Lezhë. Rreth 1 mijë pacientë kanë kërkuar ndihmë në urgjencën pediatrike gjatë 20 ditëve të fundit, ku 93 prej tyre janë shtruar në spital.Mjeku pediatër Bardhok Gjoka thotë se 3 raste kanë qenë në gjendje të rënduar dhe janë dërguar për mjekim të specializuar në Tiranë, ndërsa nuk mungojnë as fëmijët e prekur nga SARS-CoV-2.
Fluksi i fëmijëve të prekur nga virozat dhe gripi pritet të jetë i lartë edhe në javët në vijim, ndaj bluzat e bardha apelojnë për kujdes maksimal që virusi të mos përhapet. Ndërkohë, në Spitalin Rajonal të Lezhës, Urgjenca Pediatrike është funksionale përgjatë 24 orëve, bashkë me personelin e nevojshëm mjekësor.






