
Fundjava me temperatura të larta ka sjellë një fluks të madh pushuesish drejt bregdetit të Lezhës, duke shkaktuar trafik të rënduar në akset kryesore që të çojnë drejt zonave turistike. Që prej orëve të mëngjesit te se shtunes, aksi Milot–Lezhë dhe rruga Lezhë–Shëngjin po përballen me qarkullim të dendur automjetesh, ndersa Policia Rrugore ka shtuar prezencën në terren, duke monitoruar vazhdimisht qarkullimin dhe duke orientuar drejtuesit e mjeteve me qëllim lehtësimin e lëvizjes dhe shmangien e bllokimeve të gjata.
Rritja e numrit të pushuesve lidhet edhe me hyrjet e shumta nga Kosova. Sipas të dhënave të Policisë Kufitare dhe Migracionit në Kukës, vetëm nga orët e para të mëngjesit të kësaj të shtune e deri në mesditë kanë hyrë në territorin shqiptar 10,874 shtetas të Kosovës, të cilët kanë udhëtuar me 3,712 automjete, një pjesë e madhe e të cilëve kanë zgjedhur bregdetin e Lezhës për të kaluar fundjavën.Autoritetet presin që fluksi i automjeteve të mbetet i lartë gjatë gjithë fundjavës, veçanërisht në orët e pasdites dhe të mbrëmjes, kur pritet edhe kthimi i një pjese të pushuesve. Policia u bën thirrje drejtuesve të mjeteve të respektojnë rregullat e qarkullimit, të shmangin parakalimet e rrezikshme dhe të tregojnë durim gjatë lëvizjes në segmentet me trafik të rënduar.






