Autoriteti i Konkurrencës ka bërë të ditur se, nga data e djeshme dhe deri më 15 janar, ka nisur një proces monitorimi të posaçëm në tregun e mallrave të shportës, me fokus të veçantë periudhën e festave të fundvitit.

“Qëllimi i këtij monitorimi është verifikimi i ecurisë së çmimeve dhe i sjelljes së ndërmarrjeve përgjatë zinxhirit të furnizimit dhe tregtimit, me synim parandalimin e çdo rritjeje të pajustifikuar të çmimeve si pasojë e bashkërendimit të sjelljes tregtare apo e marrëveshjeve të ndaluara ndërmjet distributorëve, tregtarëve me shumicë dhe rrjeteve të supermarketeve”, thuhet në deklaratë.

Monitorimi përfshin mallrat bazë të shportës së konsumatorit, konkretisht: makarona, oriz, miell, vezë, sheqer, vaj ushqimor dhe pije joalkolike.

“Autoriteti i Konkurrencës thekson se çdo marrëveshje apo praktikë e bashkërenduar që ka si objekt ose pasojë shtrembërimin e konkurrencës, veçanërisht përmes rritjes së çmimeve në dëm të konsumatorëve, përbën shkelje të ligjit nr. 9121/2003 “Për mbrojtjen e konkurrencës” dhe do të trajtohet me seriozitet maksimal”, thuhet më tej.

Autoriteti i Konkurrencës shton se u bën thirrje të gjitha ndërmarrjeve që operojnë në tregjet përkatëse të respektojnë rregullat e konkurrencës së ndershme dhe të shmangin çdo sjellje që mund të cenojë funksionimin normal të tregut.

Artikulli paraprakLANTONA SADO ZGJIDHET DREJTORE E PËRGJITHSHME E INSTAT-IT
Artikulli tjetërMBYLLET MBLEDHJA E KËSHILLIT BASHKIAK, MIRATOHET PROJEKT BUXHETI I VITIT 2026 NË BASHKINË SHKODËR