
Franca dhe Gjermania janë dy shtetet që këtë vit kanë “pushtuar” Shqipërinë, duke ia marrë stafetën Italisë, që deri një vit më parë e kishin të dukshme preferencën për vendin e shqiponjave.
Të dhënat e INSTAT bënë të ditur se si Franca ashtu dhe Gjermania kanë shënuar rritje të fortë të hyrjeve në vend.
Në janar-korrik, hyrjet nga Gjermania arritën në 231 mijë, me një rritje prej 28%, ose 50 mijë më shumë. Gjermania është ngjitur për herë të parë në vendin e gjashtë, pas Kosovës, Italisë, Maqedonisë së Veriut, malit të Zi e Greqisë, vende që tradicionalisht e kanë vizituar Shqipërinë. Operatorët turistikë pohojnë se kryesisht po vijnë turistë individualë dhe të rinj. Edhe në korrik vijoi tendenca pozitive me 15% hyrje më shumë.
E fortë ka qenë rritja dhe nga Franca, me 160 mijë hyrje nga ky vend për janar-korrik, ose 48% më shumë, duke u ngjitur në vendin e nëntë. Në numër Franca ka pasur dhe nivelin më të lartë të rritjes nga të gjithë shtetet me 51 mijë më shumë. Tendenca e tyre duket e qëndrueshme, me korrikun që shënoi një rritje prej 55%. Operatorët turistikë pohojnë se ata janë në negociata për të mbyllur kontrata me turistët francezë për vitin tjetër.
Francezët dhe gjermanët duket se po “zëvendësojnë” itaianët, interesi i të cilëve për Shqipërinë këtë vit duket i zbehur. Në janar-korrik hynë në vend 664 mijë shtetas italianë, me rritje 4.5%. Në të njëjtën periudhë të një viti më parë zgjerimi kishte qenë 47%. Gjithsesi italianët mbeten grupi i dytë më i madh i turistëve në vend, me 10% të totalit, për 7 mujorin, përkundrejt Gjermanisë 3.5% dhe Francës 2.4%.






