Qyteti jugperëndimor francez Bordo ka kryer një stërvitje anti-terroriste të hënën në mbrëmje, në prag të Euro 2016 që nis më 10 qershor.

Më shumë se 500 policë, zjarrfikës dhe ekipet shëndetësore morën pjesë në sulmin e simuluar terrorist në “Place des Quinconces”, sheshi i dytë më i madh në Bashkimin Evropian. Sheshi do të përdoret si një zonë e hapur për tifozët gjatë Euro 2016, me kapacitet për të mbajtur 62 mijë persona. Stërvitja zgjati dy orë dhe sulmi I parë i simuluar në të ashtuquajtën fan zone, kishte protagonistë dy grupe terroristësh. Terroristi i parë kamikaz shpërtheu një rrip me eksploziv në mes të turmës, teksa një tjetër u qëllua për vdekje nga policia. Kurse terroristi i tretë mori peng më shumë se 10 persona. Në përgjigje forcat e rendit aktivizuan qen dhe robot në mbledhjen e informacionit dhe zbulimin e rrisqeve të fshehura. Më pas forcat zjarrëfikëse, ekipet e emergjencës dhe mjekë arritën menjëherë në vendin e ngjarjes për të evakuar turmën, për të dhënë ndihmën e parë të plagosurve dhe magazinimin e kufomave. Në të njëjtën kohë oficerët e policisë shpëtuan pengjet dhe nisën operacionet për kapjen e terroristëve të tjerë të fshehur. Gjatë gjithë kësaj kohë një tjetër grup emergjent rrinte në gatishmëri në Muzeun e Artit Bashkëkohor aty pranë. “Kjo është qendra e pritjes për familjarët e viktimave. Në qoftë se dikush vjen këtu, ne do të marrim identititetin e tij dhe arsyen e ardhjes. Më pas ai do të shoqërohet drejt zonës së pritjes. Nëse do të jetë e nevojshme, një psikiatër do të ofrojë shërbime në çdo kohë, “tha Jean-Claude, pjesmarrës në stërvitje. Ministri i Brendshëm francez Bernard Cazeneuve dhe Ministrja e Shëndetësisë Marisol Touraine ishin gjithashtu të pranishëm në stërvitje.