Shqipëria bashkë me 23 ekipet kombëtare të kualifikuara në fazën finale të kampionatit europian “Francë 2016”, do të mësojnë sot pasdite kundërshtarët e tyre Ceremonia zhvillohet në ora 18.00, në Pallatin e Kongreseve të Parisit. Kuqezinjtë do të jenë në vazon e katërt, së bashku me Turqinë, Republikën e Irlandës, Islandën,

Uellsin dhe Irlandën e Veriut, për shkak të koefiçentit të ulët Në vazon e parë, bëjnë pjesë këto skuadra: Spanja, Gjermania, Anglia, Portugalia dhe Belgjika. Ndërkohë që është vendosur që Franca si vend organizator të jetë e parë në grupin A. Në vazon e dytë janë vendosur Italia, Rusia, Zvicra, Austria, Kroacia dhe Ukraina. Ndërsa në vazon e tretë marrin pjesë Republika Ceke, Suedia, Polonia, Rumania, Sllovakia dhe Hungaria. Dje u nis për në Paris edhe delegacioni zyrtar i FSHF, që do të marrë pjesë në këtë short. Ai kryesohet nga Presidenti Armand Duka. Në përbërje të tij, janë Sekretari i Përgjithshëm i FSHF Ilir Shulku, Zv/Sekretari Besnik Cela, trajneri i skuadrës Xhani De Biazi dhe menaxheri i saj Alban Bushi. Më herët drejt Francës, janë nisur edhe Drejtori i Marrëdhënieve me Jashtë Denis Bastari dhe Drejtori i Marrëdhënieve me Publikun Xhankarlo Padovan, të cilët kanë marrë pjesë edhe në seminarin e organizuar nga UEFA. I pyetur për faqen zyrtare të FSHF, Presidenti Armand Duka është shprehur dje :” Nesër (Sot) do të hyjmë zyrtarisht në fazën e finaleve, duke njohur edhe kundërshtarët tanë. Sigurisht, janë të gjitha skuadra të forta që i kanë merituar finalet. Nuk bëhet fjalë për preferenca. Ne do të bëjmë Europianin tonë dhe po e përsëris, se në qershor, nuk do të shkojmë në Francë për pushime”. Është hera e parë që kombëtarja e Shqipërisë kualifikohet në një event, të përmasave të tilla, sic janë finalet e Kampionatit Europian. Ato do të zhvillohen nga data 10 qershor deri në 10 korrik në Francë.