20 ekipet që kanë siguruar kualifikimin në Europianin e Francës, vitin e ardhshëm, kanë nisur qysh tani të mendojnë mbi shortin e finaleve që do të hidhet më 12 dhjetor në Paris, pasi UEFA ka shpallur edhe renditjen e koefiçentëve të ekipeve kombëtare, përcaktuese për ndarjen nëpër vazo.

Renditja është publikuar këtë të mërkurë pas përfundimit të 9 grupeve kualifikuese, ndërkohë që shorti për “play-off”-et do të hidhet më 18 tetor, këtë të dielë.Franca organizatore do të jetë e para në grupin A, ndërsa kampionët në fuqi të Spanjës kanë gjithashtu të garantuar një vend mes 6 më të fortave, pavarësisht koefiçentit. Së bashku me Spanjën do të jenë edhe Gjermania, Anglia, Portugalia dhe Belgjika, të cilat kryesuan grupet e tyre respektive kualifikuese.Përfundimisht, në vazon e dytë do të jenë Italia, Rusia, Zvicra, Austria dhe Kroacia. Nëse Bosnja do të fitojë sfidën e dyfishtë të “play-off”-it, do të jetë gjithashtu në vazon e dytë, por nëse humbet, Ukraina do të ishte ekipi që do të futej në vazon e dytë, gjithnjë në rast fitoreje të sfidës përkatëse. Por, nëse të dyja këto do të humbisnin, atëherë vendin e mbetur në vazon e dytë do ta merrte Republika e Çekisë. Në vazon e katërt janë të përcaktuar përfundimisht ekipe si Islanda, Uellsi, SHQIPËRIA dhe Irlanda e Veriut. Ndërkohë që, Çekia, Polonia, Rumania, Sllovakia dhe Turqia janë të gjitha “në ankth”, pasi u duhet të presin ndeshjet e “play-off”-eve për të mësuar se në cilën vazo të shortit të dhjetorit do të bëjnë pjesë.Ndërkaq, UEFA ka zyrtarizuar edhe vazot e ekipeve kombëtare, të cilat do të ndeshen në fazën “play-off”, për të përcaktuar 4 ekipet e mbetura të Europianit 2016.Bosnja, Ukraina, Suedia dhe Hungaria janë ekipet më të vlerësuara në renditjen e publikuar po sot, gjë që i bën ata pretendentë përballë katër rivalëve të tjerë Danimarkë, Republika e Irlandës, Norvegji dhe Slloveni. Shorti do të vendosë përballë njëri-tjetrit këto kombëtare, me të parat që do t’i zhvillojnë ndeshjet në shtëpi fillimisht, e më pas në transfertë. Takimet e para të “play-off”-eve do të zhvillohen më 12-14 nëntor, ndërsa ato të kthimit më 15-17 nëntor.