Kandidati i qendrës në zgjedhjet presidenciale franceze, i cili duket se po e shkund fushatën, ka premtuar ta bashkojë kombin dhe të forcojë marrëdhëniet me Gjermaninë, në një fjalim tejet të rëndësishëm.

Emmanuel Macron ka premtuar gjithashtu se do të rrisë shpenzimet për mbrojtjen, kur foli përpara turmës së njerëzve të mbledhur në qytetin lindor të Lionit. Ish-ministri socialist i Ekonomisë u shkëput për të krijuar partinë e tij gjatë vitit të kaluar. Sondazhet tregojnë se ai mund të përballet me kandidaten e ekstremit të djathtë, Marine Le Pen, e cila pritet të mbajë gjithashtu një fjalim të rëndësishëm gjatë kësaj të diele, gjatë balotazhit të zgjedhjeve presidenciale të muajit prill. Fronti Nacional i drejtuar prej saj nisi një miting dyditor po në Lion, për të promovuar sloganin e saj, që premton të rikthejë sovranitetin francez ndaj buxhetit, kufijve, parave dhe ligjeve të vendit. Gjithsesi, partia ekstremiste hoqi dorë nga një premtim i mëparshëm për të rikthyer dënimin me vdekje. Francezët do t’u drejtohen kutive të votimit më 23 prill në një prej garave më të hapura dhe të rivalizuara ndër dekada, me presidentin socialist François Hollande që refuzoi të kandidonte për rizgjedhjen e tij. Kandidati i republikanëve opozitarë, François Fillon shihej si pretendenti kryesor deri përpara akuzave të muajit të kaluar, në lidhje me pagesat e bëra ndaj bashkëshorte së tij për një funksion parlamentar, që ngriti dyshime të mëdha ndaj perspektivës së tij. Macron, partia e të cilit quhet “En Marche”, synon ta portretizojë veten si unifikues përpara turmës së rreth 8.000 vetave. “Nuk kam për të thënë se e majta apo e djathta janë të pakuptimta, apo se janë e njëjta gjë. Por këto ndarje nuk janë një pengesë. Dua të ribashkoj dy Francat që po rriten të ndara nga njëra-tjetra prej një kohe të gjatë. Dua një mbrojtje më europiane, si dhe partneritet mes Francës dhe Gjermanisë”, shtoi ai. Ndërkohë, një deklaratë e pati edhe për presidentin amerikan Donald Trump, kryesisht duke sfiduar politikën e tij të ngritjes së murit me Meksikën, gjë që e krahasoi me përpjekjet franceze për të ngritur fortifikime që sërish dështuan të ndalnin Hitlerin në vitin 1940. “Nuk dua të ngre një mur. Mund t’iu siguroj se nuk ka asnjë mur në programin tij. A e kujtoni Maginot Line?”.

Artikulli paraprakSHBA, APELI REFUZON RIKTHIMIN E VENDIMIT TË TRUMP
Artikulli tjetërKANOSI ME ARMË NJË SHTETAS, ARRESTOHET 20 VJEÇARI