Ortekët në Alpet franceze marrin sërish jetë njerëzish. Të paktën 5 ushtarë kanë gjetur vdekjen pranë kufirit me Italinë, ku ndodheshin për seanca stërvitore.

Sipas mediave franceze, orteku ka ndodhur pranë Valfrejus, pak kilometra larg nga kufiri me Italinë, ku rreth 50 ushtarë ishin vendosur për trajnim. Grupet e emergjencave kanë mbërritur mënjëherë në vendin e ngjarjes me qen dhe helikopterë. 10 ushtarë janë gjetur menjëherë, katër të plagosur lehtë, ndërsa pesë ndërruan jetë si pasojë e arrestit kardiak. Ky është incidenti i dytë i këtij lloji në Alpet franceze. Pak ditë më parë, një grup nxënësish u përfshi nga një ortek, e për pasojë 3 prej tyre gjetën vdekjen.