12 të arrestuarit e dosjes “Rana e Hedhun”, të hetuar për falsifikim dokumentesh dhe tjetërsim pronash, ku mes tyre dhe kreu i bashkisë Lezhë, Fran Frrokaj, do të dalin sot në orën 09:00 para Gjykatës së Lezhës, ku i pari ka mbërritur kryebashkiaku Frrokaj.

Gjykata e Lezhës do të verifikojnë masat e dhëna në mungesë ndaj të arrestuarve, ku pjesa më e madhe janë zyrtarë të bashkisë dhe hipotekave.

Zyrtarët lokal të hetuar nga Prokuroria akuzohen se në bashkëpunim me njëri-tjetrin kanë tjetërsuar afro 260 mijë m2 në zonën e plazhit, duke e kthyer në pronë private e më pas duke e shitur kundrejt vlerave të konsiderueshme monetare.

Kryebashkiaku Fran Frrokaj ka mbërritur në Gjykatën e Lezhës, shoqëruar nga masa të rrepta sigurie, për t’u njohur me masën e sigurisë. Ai është pritur nga mbështetësit e tij jashtë dyerve të gjykatës, të cilët kanë thirrur në shenjë proteste se janë në krah të tij. “Jemi me ty”, thirrën simpatizantët e Frrokajt.

Ndërkohë, jashtë gjykatës vijon protesta e mbështetësve të Frrokajt, të cilët kanë kërcënuar me përshkallëzim të tubimeve nëse kryebashkiaku lihet në burg, pasi e kanë cilësuar arrestimin e tij politik.

Ndërkohë, policia ka marrë masa të rrepta për sigurinë dhe mbarëvajtjen e seancës.Forca të shumta policie kanë rrethuar gjykatën dhe kanë vendosur shirita, në mënyrë që të shmangin ndonjë përplasje të mundshme apo trazira që mund të krijojnë simpatizantët e kryebashkiakut Frrokaj, të cilët vijojnë protestën që nga momenti i arrestimit të tij.