Komisioni Qëndror i Zgjedhjeve këtë të mërkurë pritet të mblidhet për shqyrtimin e rezultatit të verifikimit të Prokurorisë së Përgjithshme për anëtarin e këshillit të Bashkisë së Kamzës, Mirush Dema (Troci), në zbatim të ligjit për garantimin e integritetit të personave që zgjidhen, emërohen ose ushtrojnë funksione publike.

Dy ditë më parë pas kryebashkiakëve të Shkodrës dhe të Vorës, Prokuroria e Përgjithshme i kërkon KQZ-së që t’i heqë mandatin edhe anëtarit të këshillit bashkiak të Kamzës Mirush Dema pasi sipas verifikimeve ai ka rezultuar të ketë fshehur dy dënime në Zvicër.

Në vitin 2014 këshilltari aktual socialist në Kamëz i ka ofruar për t’i shitur 4 qese heroinë një polici, i cili ishte i infiltruar. Kurthin ai e kuptoi në fund, por për këtë ngjarje është dënuar, megjithatë dënimi iu konvertua në gjobë.

Këshilltari socialist rezulton se ka ndryshuar mbiemrin pas martese, nga Troci në Dema, por nuk i ka shpëtuar të kaluarës edhe pse në momentin e plotësimit të formularit të vetëdeklarimit deklaroi vetëm një ndalim për verifikim në Gjenevë dhe dëbim në Suedi duke fshehur dënimin për heroinë dhe dhunim banese.

Ai në formular thotë se në Zvicër ka qenë ndaluar në dhjetor të 2014 për një verifikim, por ka rezultuar i pastër dhe dëbimin në Suedi deri në tetor 2019. Ditën e mërkurë KQZ do të mblidhet për të shqyrtuar gjetjet e KQZ-së për këshilltarin socialist Mirush Osman Dema (Troci).