FSHF, Duka: Kushte për femrat në stadiume, futbolli jo vetëm i burrave

Federata Shqiptare e Futbollit organizoi këtë të mërkurë tryezën e debat-diskutimit në lidhje me emancipimin e stadiumeve. Në këtë tryezë ishin pjesëmarrës gazetarë, politikanë, tifozë dhe përfaqësues të Federatës, u hodhën ide të ndryshme për afrimin e femrave në stadium duke identifikuar ofendimet tej masës si shkakun kryesor të prezencës së tyre të ulët aktualisht. Presidenti i FSHF-së përshëndeti panelin që iu bashkangjit nismës së FSHF. Presidenti Duka në këtë tryezë citoi: “Sot loja e futbollit është shumë e rëndësishme, është loja më e bukur në botë dhe këtë e vërtetojnë tregues të ndryshëm. Ne kemi zgjedhur këtë temë sepse është shumë e rëndësishme. Kemi një ndarje të dukshme në dy pjesë, në futbollin internacional dhe atë nacional. Kemi një stadium relativisht të emancipuar me prezencë femërore në ndeshjet ndërkombëtare, por kjo është më e pakët në ndeshjet kombëtare. Investimet dhe organizimi është diçka shumë e rëndësishme që ndikon, por këtu jemi për të folur për pjesën subjektive, atë që varet nga ne. Në një ambient kryesisht mashkullor, duhet bërë më shumë për të mundësuar prezencë më të madhe të femrave në stadiume, jo vetëm për të mbushur stadiumet, por edhe sepse futbolli nuk u përket vetëm meshkujve, por është një sport për të gjithë”, është shprehur presidenti i FSHF-së, Armand Duka, në fjalën e tij hapëse. Gjatë bisedës, të ftuarit në panel kanë shkëmbyer edhe opinionet e tyre në lidhje me hapat që duhen ndërmarrë për të shtuar ritmin e prezencës së tifozeve femra në stadium.