Ka marrë fund pritja për Tiranën dhe Vllazninë sepse federate shqiptare e futbollit e ka ndarë mendjen për ditën dhe orën e kësaj ndeshje.

E pavendosur për një kohë të gjatë se ku do të luhej duke prishur jo pak planet e stafeve teknike të të dy ekipeve FSHF vendosi që ndeshja mes Tiranës dhe Vllaznisë të luhet ditën e diele në ora 14:00 në stadiumin e Laçit. Kjo situatë kaotike vjen për shkak të punimeve në stadiumin “Selman Stermasi” që është duke u riparuar me mbjellje bari shtesë. Ky tapet është dëmtuar nga ndeshjet e shumta që janë zhvilluar në këtë stadium në një hark kohor të shkurtër, ku kanë luajtur të gjitha ekipet e moshave të Kombëtares, për meshkuj dhe femra. Për këtë arsye, përballja Tirana-Vllaznia do të luhet ditën e dielë në orën 14:00 në fushën e Laçit. Vendimi i FSHF është marrë në bashkëpunim me klubin e Tiranës. Në radhët e kuqebluve është një shqetësim përcaktimi me vonesë i orës dhe vendit ku do të luhej ky takim por për trajnerin Armando Cungu siç edhe ka deklaruar më përpara nuk është një alibi për rezultatin. Kështu kuqeblutë do të kërkojnë një rezultat pozitiv për të ruajtur qëndrushmërinë pas dy fitoreve të fundit ndaj Teutës në kampionat dhe Kamzës në Kupë. Është një takim i vështirë por duke qenë se ndeshja luhet në fushë asnjëanëse mund të jetë më shumë favorizuese për kuqeblutë. Një problem mbetet për Vllazninë dëmtimi i disa lojtarëve dhe mungesat që mund të kenë shkodranët në takimin ndaj Tiranës. Megjithatë klasikja e futbollit shqiptar është gjithnjë emocionuese dhe një ndeshje që nuk duhet humbur.