Pasditja e së premtes ka rikthyer sërish radhët e gjata në pikën e kalimit kufitar të Muriqanit, fluks që ka vijuar deri mesditën e së shtunës.

Të paktën 14500 persona kanë përdorur këtë pikë kalimi gjatë 2 ditëve të fundit me rreth 4318 mjete. Qindra qytetarë kanë qëndruar në pritje gjatë së shtunës në temperatura të larta, ku radha e automjeteve zgjatej deri në 1 km.

Përballë kësaj situate, pala shqiptare ka vënë në funksion 3 korsi për autoveturat dhe 1 për autobusët. Ndërkohë, policia kufitare ka ngritur traun duke zbatuar procedurën e përshpejtuar për të menaxhuar fluksin e lartë. Fluks automjetesh gjatë së shtunës në pikën e kalimit kufitar të Muriqanit ka pasur në hyrje dhe në dalje.

Krahas numrit të lartë të shtetasve shqiptarë dhe kosovarë që i drejtoheshin Malit të Zi, një numër i konsiderueshëm automjetesh kanë hyrë në vendin tonë nga vendi fqinj.