Skuadra e Vllaznisë në futboll për femra vazhdon që të jetë e pathyeshme.

Shkodranet nuk e kanë vënë në diskutim Kupën e Shqipërisë duke e fituar këtë trofe për të katërtin vit radhazi. Vllaznia mundi në finale e kupës së femrave Apoloninë në shifrat 3-0 në përballjen e luajtur në stadiumin “Elbasan Arena”. Vllaznia dominoi në të gjithë lojën ndaj ekipit fierak duke mos e diskutuar fitoren në këtë finale të Kupës. Pjesa e parë ka qenë më e balancuar mes dy skuadrave finaliste teksa është mbyllur pa gola 0-0. Në pjesën e dytë vajzat kuqeblu nuk kanë pritur aspak dhe kanë kaluar në avantazh që në minutën e 48 me anë të Doçit. Pa u bërë 10 minuta nga goli i epërsisë Vllaznia realizon edhe golin e dytë me anë të Suada Jasharit duke dyfishuar rezultatin. Pas këtij goli vajzat fierake nuk kanë më forcë për të reaguar dhe Vllaznia pothuajse mbyll historinë e kësaj finaleje. Pavarësisht avantazhit 2-0 shkodranet nuk ndalen dhe kërkojnë edhe gola të tjerë. Është minuta e 74 kur Vllaznia fiton një 11-metërsh dhe si zakonisht e merr përsipër Megi Doçi e cila nuk mund të mungojë në një finale në listën e golashënuesve. Doçi tregohet e saktë dhe trefishon rezultatin duke bërë që minutat e mbetura të jenë për statistikë. Ndeshja finale e Kupës mbyllet me rezultatin 3-0 dhe Vllaznia bëhet fituese e këtij trofeu për të katërtin vit radhazi duke përmbushur një prej objektivave të sezonit. Tashmë vëmendja do jetë e përqendruar në kampionat ku Vllaznia kryeson e pashqetësuar nga ekipet e tjera dhe është drejt fitimit të titullit kampion.