Vajzat e Vllaznisë vazhdojnë dominimin në futbollin shqiptar, duke siguruar kualifikimin për në finalen e kampionatit për këtë sezon. Skuadra shkodrane triumfoi edhe në gjysmëfinalen e dytë të fazës “Final Four”, duke mposhtur bindshëm Gramshin me rezultatin 6-1, në ndeshjen e zhvilluar në fushën sportive “Reshit Rusi”. Pas fitores minimale me rezultatin 1-0 në takimin e parë, kuqeblutë konfirmuan superioritetin e tyre edhe në sfidën e kthimit. Vllaznia zgjidhi gjithçka që në pjesën e parë, duke realizuar tre gola me Bajraktarin, Dedën dhe Doçin, për ta mbyllur 45-minutëshin e parë në shifrat 3-0.

Në pjesën e dytë, ishte sërish Deda që thelloi rezultatin në 4-0 pas një aksioni të bukur. Gramshi arriti të shënojë golin e nderit me Berishën, por pa mundur të ndryshojë dot rrjedhën e takimit. Në minutat e fundit, Vllaznia vulosi fitoren me dy gola të tjerë, fillimisht pas një autogoli të Behramit dhe më pas me Doçin, që fiksoi rezultatin përfundimtar 6-1. Pas kësaj fitoreje me Gramshin në gjysmëfinalen e dytë, trajneri i Vllaznisë në futboll për femra, Nikolin Leka u shpreh shumë i kënaqur me lojën e ekipit të tij, si edhe shtoi që do të synojnë titullin e 13-të kampion.

Me këtë fitore, Vllaznia siguron finalen e madhe të 29 majit, ku do të synojë titullin e 13-të kampion radhazi, duke konfirmuar edhe një herë statusin si skuadra dominuese në futbollin e femrave në Shqipëri.

 

Artikulli paraprakKURORËZOHET BINJAKËZIMI R.C SHKODRA DHE R.C TETOVA
Artikulli tjetërVLLAZNIA ZHGËNJEN NË “AIR ALBANIA”