Futbolli në kaos. Presidenti i FIFA-s Sepp Blatter dhe i UEFA-s, Michel Platini janë pezulluar me nga 8 vite nga Komisioni i Etikës në qeverinë e futbollit botëror me akuzën e korrupsionit.Vendimi nga Komisioni i Etikës u mor pas një hetimi disa mujor dhe dëshmive të dy njerëzve më të fuqishëm të futbollit në Europë dhe botë deri para pak muajsh.

Blatter dhe Platini akuzohen për një transferim të dyshimtë që tashmë është gjykuar si rast korruptim nga FIFA te UEFA të 2 milionë Eurove në vitin 2011. Sipas Komitetit të Etikës, pagesa ndaj francezit për bashkëpunimin me Blater, sipas marrëveshjes së arritur mes palëve në vitin 1999 “nuk kishte baza ligjore”.Tashmë në moshën 79 vjeçare Blatter detyrohet që t’u mbyllë derën përgjithmonë ambicieve, ndërsa francezit Platini i mbetet ëndrra në sirtar për të drejtuar FIFA-n një ditë, pasi humbet shansin për të kandiduar në zgjedhjet që do të zhvillohen vitin tjetër.Kujtojmë që FIFA është nën hetim nga drejtësia amerikane për një tjetër skandal të madh korrupsioni që ka përfshirë shumë drejtues konfederatash dhe personazhe kryesore.