
Kjo fundjavë do të sjellë një përballje me peshë në kampionatin e futsallës, teksa në kryeqytet do të luhet “Klasikja” mes Tiranës dhe Vllaznisë. Shkodranët vijnë në këtë sfidë në formë shumë të mirë, pas dy fitoreve radhazi që i kanë ngjitur në krye të renditjes me pikë të plota. Në prag të kësaj ndeshjeje, trajneri dhe njëkohësisht kapiteni i Vllaznisë, Alsid Tafili, u shpreh se skuadra kuqeblu është maksimalisht e përqendruar dhe e motivuar për të marrë një tjetër fitore ndaj një rivali direkt për titullin.
Ai theksoi se objektivi i skuadrës mbetet i qartë: mbrojtja e titullit kampion edhe këtë sezon.
Tafili u ndal edhe te grumbullimi i fundit i përfaqësueses shqiptare për ndeshjet europiane, duke shprehur rezervat për faktin se asnjë lojtar i Vllaznisë kampione nuk është përfshirë në listë.
Në këtë përballje që pritet të jetë e luftuar deri në fund, mbetet për t’u parë nëse Vllaznia do të konfirmojë formën e saj të shkëlqyer.






