
Vllaznia futsall nuk ia ka dalë dot të mposhtë Tiranën. Sfida në mes këtyre dy skuadrave, e luajtur në pallatin e sportit “Qazim Dervishi” të Shkodrës, u shoqërua me një rivalitet të madh. Bardheblutë kaluan të parët në avantazh, por portieri Behari barazoi për shkodranët. Më pas, Çokaj shënoi për Vllazninë dhe i kaloi në avantazh ata. Miqtë nuk hoqën dorë nga përpjekjet e tyre për të fituar këtë ndeshje dhe në fundin e pjesës së parë barazuan. Në këtë mënyrë, gjysma e parë e ndeshjes është mbyllur në shifrat e barabarta 2-2. Në fillimin e së dytës, Vllaznia shënoi sërish me Çokajn, por avantazhi nuk zgjati shumë. Miqtë barazuan për herë të tretë dhe madje, më pas shënuan edhe dy herë të tjera, teksa përfundimisht mbyllet me rezultatin 5-3 për Tiranën.
Me këtë fitore, Tirana i merr vendin e dytë Vllaznisë, e cila pas kësaj humbje zbret në vendin e tretë.