Galeria e Arteve Shkodër mirëpriti publikun me hapjen e edicionit të 19-të të ekspozitës kombëtare “Salloni i Vjeshtës”, një aktivitet i rëndësishëm që prej vitesh mbledh artistë nga mbarë vendi dhe diaspora. Tema e këtij viti, “Midis linjave dhe ngjyrave”, u bë boshti krijues që bashkoi rreth 70 autorë me stile dhe mediume të ndryshme, duke krijuar një panoramë të gjerë të artit bashkëkohor.
Në ceremoninë e hapjes, drejtuesi i Galerisë së Arteve, Fatmir Juka, vuri theksin te roli i këtij aktiviteti në promovimin e artistëve dhe ruajtjen e vazhdimësisë kulturore.
Kuratori i edicionit të sivjetëm, arkitekti Olsi Plasa, foli mbi konceptimin e ekspozitës dhe mënyrën se si krijimet e autorëve ndërveprojnë me hapësirën dhe ngjyrën.
Juria e “Sallonit të Vjeshtës” ndau edhe çmimet kryesore: Çmimi “Vepra më e Mirë” ju akordua Arben Sumës, Çmimi “Autori më i Mirë” shkoi për Agron Ujkashin, ndërsa Çmimi i Risisë u fitua nga Genti Spirollavi.
Ekspozita do të vazhdojë të qëndrojë e hapur në Galerinë e Arteve Shkodër, duke i ofruar publikut mundësinë të njihet nga afër me krijimtarinë e artistëve pjesëmarrës.

Artikulli paraprakMBLEDHJA E KËSHILLIT BASHKIAK SHKODËR
Artikulli tjetërZBARDHET URIMI I TRUMP PËR DITËN E PAVARËSISË SË SHQIPËRISË