
Galeria “Oda” në Shkodër u kthye në një hapësirë dialogu mes artit bashkëkohor dhe publikut, në një aktivitet ku e ftuar ishte artistja vizuale nga Kosova, Majlinda Kelmendi. Përmes veprës së saj, të ndërtuar mbi një proces hulumtimi artistik të zhvilluar në Shkodër, artistja solli një reflektim mbi lidhjen mes kujtesës, hapësirës dhe identitetit.
Mikpritësja e aktivitetit, Rozafa Shpuza, u ndal te rëndësia e këtij projekti artistik, duke theksuar se puna e Majlinda Kelmendit ndërton një marrëdhënie të veçantë me qytetin dhe historitë që ai mbart.
Në qendër të bisedës së hapur me të pranishmit ishin tema si kujtesa kolektive, transformimi i hapësirës urbane dhe roli i artit bashkëkohor në interpretimin e realiteteve sociale. Aktiviteti në Galerinë “Oda” mblodhi artistë, studiues dhe dashamirës të artit, duke krijuar një hapësirë diskutimi dhe reflektimi mbi fuqinë e artit për të ndërtuar ura komunikimi me komunitetin.






