PD do të mbledhë sot në orën 19:00 kryesinë e partisë për të miratuar kandidaturat për kryetarin e ri të kësaj force politike.

Në mbledhjen e sotme të kryesisë së PD do të ngrihet komisioni i organizimit dhe kontrolleve të operacioneve elektorale. Burimet kanë bërë të ditur se deri më tani janë bërë të ditur katër emra që kanë dorëzuar zyrtarisht kërkesën për të qenë pjesë e votimeve që do të mbahen në 22 korrik.

Lulzim Basha do të kërkojë një tjetër mandat në krye të PD, ndërsa më parë ka deklaruar se do të duhet një analizë edhe për ata demokratë të cilët nuk u angazhuan në fushatën e zgjedhjeve të 25 qershorit nga ku PD mori vetëm 43 deputetë.

Po ashtu edhe ish-kryetari i PD Eduard Selami është futur në garë dhe ka theksuar se PD i duhet një lider i fortë, i cili do të kthejë dhe shpresën tek demokratët dhe shqiptarët. Edhe Erjon Piciri është një tjetër kandidat. Ndërsa garës i është shtuar edhe një anëtar i PD në Fier, Astrit Sinanaj.