Vitin e ardhshëm pritet të realizohet ‘Censi i Bujqësisë’, 14 vjet pasi është bërë ‘fotografimi’ i fundit i këtij sektori në Shqipëri.
“Censi i bujqësisë përfshin të gjitha njësitë ekonomike, që kanë në përdorim tokë bujqësore apo që kryejnë aktivitet bujqësor ose blegtoral, brenda territorit të Republikës së Shqipërisë. Njësitë ekonomike bujqësore, objekt i censit, tregtojnë plotësisht apo pjesërisht produktet e tyre, ose mbulojnë vetëm nevojat e tyre familjare”, thuhet në nenin 3 të projektligjit që është hedhur në konsultim publik.
Në relacionin e projektligjit thuhet se përmes këtij censi do të sigurohet një informacion i hollësishëm për njësitë ekonomike bujqësore dhe blegtorale, do të ofrohen të dhëna të sigurta që më pas do të diktojnë edhe vendimmarrjet e politikat për këtë sektor si dhe do të krijohet regjistri statistikor i njësive ekonomike bujqësore.
Censi i bujqësisë do të zgjasë 4 javë, ku numëruesit do të shkojnë në çdo cep të Shqipërisë.
Në projektligj është saktësuar se gjatë kësaj periudhe është e ndaluar për të gjithë individët dhe organizatat, të mbledhin të dhëna nga njësitë ekonomike bujqësore.
Për ata që refuzojnë të japin informacion për punonjësit e INSTAT që do të angazhohen në këtë proces, do të ketë gjoba nga 30 mijë lekë deri në 100 mijë lekë.
Brenda 12 viteve sipërfaqja e tokës së mbjellë është tkurrur me 18.7 mijë hektarë, pasi në fund të 2024-ës totali i tokës bujqësore së mbjellë sipas INSTAT ishte 677 mijë hektarë.
Po kështu edhe blegtoria, tufat e bagëtive janë zvogeluar me 960 mijë krerë në total. Nëse në 2012 në Shqipëri numëroheshin më shumë se 2.9 milionë krerë lopë, dele e dhi, në fund të vitit 2024 në total ishin 2 milionë krerë.
Ndërsa biznesi i mjaltit është shtuar, nga 239 mijë koshere në vitin 2012, në 587 mijë koshere vjet.
Censi i bujqësisë ishte parashikuar për t’u zhvilluar në vitin 2022, por ky proces u shty për në 2024-ën, por as ky objektiv nuk u arrit.
Afati i ri tashmë është 2026, nëse projektligji arrin të miratohet këtë vit.

Artikulli paraprakSHKODËR, VDES NGA PICKIMI I BLETËS 47- VJEÇARI
Artikulli tjetërLA ITALINE PËR ENDRRËN SHQIPTARE