Një investim me ndikim të drejtëpërdrejtë në zhvillimin e turizmit në bashkinë Shkodër pritet të nisë brenda pak javësh. Rruga Shirokë – Zogaj në pjesën e kufirit me Malin e Zi është një financim që bashkia Shkodër e ka përfituar nga Banka Europiane për Rindërtim dhe Zhvillim dhe që do të zbatohet përmes bashkëpunimit me Fondin Shqiptar të Zhvillimit. Në dëgjesën publike me banorët e Zogajve Dritan Pistoli i Fondit Shqiptar të Zhvillimit dhe Aljon Koçkiçi drejtori i zhvillimit të territorit në bashkinë Shkodër shprehen se ky projekt nuk prek banesat e Zogajve.
Banorët kërkuan që të mos ndiqet e njëjta rrugë si me investimin e qendrës së Shirokës nga Fondi Shqiptar i Zhvillimit, ku defektet janë shfaqur pa u mbushur viti i parë i përfundimit të investimit si dhe shfaqën disa problematika të tjera.
Rruga e Zogajve do të lidhet me aksin që të çon drejt Krajës në Malin e Zi. Ana tjetër e rrugës në territorin malazez ka përfunduar ndërsa pritet që tashmë të nisë punën edhe në pjesën shqiptare për të lidhur këtë aks që bashkon Shqipërinë me Malin e Zi në një tjetër kufi.